Në Universitetin Barleti u organizua eventi “Medical and Healthcare Tourism in Albania: Opportunities for Growth, Quality, and International Collaboration”, një forum që solli së bashku akademinë dhe industrinë për të diskutuar potencialin dhe zhvillimin e turizmit mjekësor dhe shëndetësor në Shqipëri.
I ftuar i veçantë në këtë aktivitet ishte Prof. Alaa Garad, Executive Director i Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation (UK), i cili ndau me pjesëmarrësit perspektivën ndërkombëtare mbi trendet globale të turizmit mjekësor dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e këtij sektori.
Gjithashtu, Dr. Merita Osmani, CEO e Albanian Medical Tourism Association, prezantoi zhvillimet aktuale dhe mundësitë që ka Shqipëria për t’u pozicionuar si një destinacion konkurrues në turizmin mjekësor dhe shëndetësor.
Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve akademike, profesionistëve të shëndetësisë dhe aktorëve të industrisë për të nxitur rritjen, cilësinë dhe ndërkombëtarizimin e këtij sektori në zhvillim.
Pas panelit të diskutimit, pjesëmarrësit vijuan me një sesion networking, duke shkëmbyer ide dhe duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë.
Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, Universiteti Barleti vazhdon të krijojë hapësira dialogu mes arsimit, inovacionit dhe industrisë, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve strategjikë për ekonominë dhe shoqërinë.






